Një derbi mbetet gjithmonë një derbi, edhe kur skuadrat kanë diferenca dhe luajnë në kategori të ndryshme.
Këtë gjë e dëshmoi dhe dueli i kupës së Italisë mes Xhenoves dhe Sampdorias, përballje e kupës së Italisë e cila u transmetua në Tring.
Megjithëse Sampdoria po luan në serinë B dhe Xhenova në serinë A, dueli i tyre histori në Marasi ishte i zjarrtë dhe me një stadium të mbushur plotë e përplot.
E vetmja notë negative ishte ajo që ndodhi në prag sfide në rrugët pranë stadiumit me incidentet mes dy tifozerive.
Derbi u zhbllokua që në minutën e 9 kur një gabim i portierit dhe mbrojtjes së Samopdorias, i dha mundësi Pinamontit që të kalonte në avantazh Xhenoven.
Sampdoria nuk qëndroi duarkryq madje kërcënoi në disa raste me Koda dhe La Gumina, por portieri Leali ishte vendimtar me reagimet e tij.
Në të dytën ndeshja ishte më e ekuilibruar ndonëse kërcënimet më të madhe i kishte Sampdoria, skuadër që do të gjente barazimin me një gjuajtje nga distanca të Fabio Borinit në minutën e 83.
Tek penalltitë deçizive ishin gabimet nga pika e bardhë e Miretit dhe Xanolit, si dhe ekzekutimi final i saktë i Barrecas që i dha jetë festës së Sampdorias, skuadër e cila në 1/8 në dhjetor do të sfidojë Romën.
Udinese dhe Cesena gjithashtu shkuan më tej në fazën e 1/8. Friulanet u ringritën pas disfatës në kampionat ndaj Romës dhe u kualifikuan në kupë falë fitores 3 me 1 në shtëpi ndaj Salernitanës.
Sot në mbrëmje është radha e derbit jugor Napoli-Palermo që transmetohet gjithashtu në Tring./vizionplus.tv