Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka kërkuar liderëve politikë të Gjermanisë mbështetje në aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të ndryshme, përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Këto kërkesa, Osmani i bëri gjatë takimeve me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth.
Ky i fundit shkroi në llogarinë e tij në X për takimin me Osmanin, duke thënë se Kosova meriton më shumë mbështetje.
“Kosova është një shembull inkurajues në Ballkanin Perëndimor për përkushtimin e saj të qartë ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Fatkeqësisht, vende të tjera në Ballkanin Perëndimor po largohen nga këto vlera të Bashkimit Evropian”, shkroi Roth.
Thanks to @VjosaOsmaniPRKS for a great meeting. Kosovo is an encouraging example in the WB for its clear commitment to democracy,the rule of law + the fight against corruption. Unfortunately,other countries in the WB are moving away from these 🇪🇺values. 🇽🇰 deserves more support. pic.twitter.com/uNOAAqwsu4
— Michael Roth – official 🇪🇺🇺🇦🇮🇱🇬🇪 (@MiRo_SPD) October 1, 2024
Vizita e Osmanit në Gjermani vjen në një kohë kur Gjermania i ka kërkuar Kosovës ta heqë ndalesën ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, si dicka që është kundër parimeve të CEFTA-s.
Qeveria kosovare i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-tës, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend.
Por, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se nëse është e nevojshme, vendet e Ballkanit do të ecin përpara drejt bashkëpunimit rajonal edhe pa Kosovën.
Pikërisht raportet mes Kosovës dhe Serbisë ishin temë diskutimi edhe në takimet e Osmanit me liderët gjermanë, ku presidentja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Gjermania ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Kosovës, dhe në takimin tim me Ministren e Jashtme, Baerbock, riafirmuam rëndësinë e përkushtimit tonë të përbashkët për bashkëpunimin politik, të sigurisë dhe ekonomik, që është në dobi të ndërsjellë”, shkroi Osmani në X.
Ndaj këtij postimi të Osmanit reagoi edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rohde, i cili shkroi se “partneriteti ynë i ngushtë do të vazhdojë të zhvillohet dhe Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës si një mik dhe partner i besueshëm, i palëkundur dhe i sinqertë!”