Brohoritjet pro Kosovës nga ushtarët dhe kadetët amerikanë në West Point, gjatë vizitës së presidentes Vjosa Osmani, kanë shqetësuar presidentin serb, Aleksandwr Vuçiç.
“E keni parë Vjosa Osmanin në West Point teksa ushtarët amerikanë i thërrisnin “Kosova, Kosova, Kosova”, gjë që nuk është shumë e këndshme për ne serbët ta shikojmë. Por mirë, ne jemi mësuar me shumë gjëra të tilla. Vetëm jini të qetë, të durueshëm dhe tolerantë”, tha Vuçiç.
Duke folur për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vuçiç theksoi se ata nuk i trajnojnë vetëm SHBA-të, por edhe britaniket dhe turqit.
“Kanë personel të trajnuar mirë, nuk ka dyshim. I dimë numrat e saktë, nuk do të doja të flas për këtë tani. Nuk është diçka që mund ta kërcënojë ushtrinë serbe, por nuk ka dyshim se mund të kërcënojë mbijetesën e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiç.
Presidentja Osmani po qëndron në Nju Jork ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Përfaqësuesit e Kosovës tradicionalisht këtë ngjarje mundohen ta shfrytëzojnë për kontakte me shtetet të ndryshme përfshirë ato që s’e kanë njohur ende Kosovën./vizionplus.tv