Reshje rekord priten nga sinoptikanët në Republikën Çeke, të cilët vlerësojnë se shumica e zonave të prekura mund të përjetojnë më shumë se një të tretën e reshjeve të tyre vjetore deri të dielën.
Tashmë reshjet e dendura të shiut që nga dita e djeshme po prekin kryesisht pjesët lindore të Çekisë. Ndër zonat që pritet të preken është edhe Praga. Autoritetet e kryeqytetit po instalojnë mbrojtje kundër përmbytjeve në qendrën historike të qytetit.
Kushtet e ngjashme të motit parashikohen në zona të tjera të Evropës Qendrore, si Gjermania jugore dhe pjesë të Austrisë, Polonisë dhe Sllovakisë në ditët në vijim.
“Të dhënat tregojnë se po përballemi me ditë të vështira,” tha kryeministri çek, Petr Fiala në një konferencë televizive, duke shtuar se në disa zona nivelet e ujit mund të tejkalojnë përmbytjet e regjistruara në 100 vite. Ai shtoi se autoritetet po marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e pronës dhe mbrojtjen e banorëve.
Sot, paralajmërimi i rrezikut të shtuar u shtri në rajonet qendrore dhe jugperëndimore, duke përfshirë Pragën, ku përmbytjet në 2002 detyruan autoritetet të evakuonin dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa ndërtesat u shembën dhe rrjeti i metrosë së kryeqytetit u përmbyt për muaj të tërë. Kryeqyteti çek, një qytet me 1.3 milionë banorë, që atëherë ka investuar shumë në mbrojtjen nga përmbytjet, ndërsa ka ndërmarrë hapa për të shmangur një fatkeqësi të ngjashme./vizionplus.tv