Rusia nisi një sulm me raketa balistike ndaj Kievit sot për herë të tretë këtë muaj dhe sipas të dhënave paraprake, të gjitha raketat u shkatërruan ndërsa i afroheshin qytetit, tha komanda ushtarake e kryeqytetit ukrainas.
“Ky është tashmë sulmi i tretë me raketa balistike kundër kryeqytetit në gusht, me pushime prej saktësisht gjashtë ditësh midis çdo sulmi”, shkroi në Telegram Serhii Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.
“Sipas informacioneve paraprake, rusët ndoshta kanë përdorur sërish, për herë të tretë radhazi, raketa balistike të Koresë së Veriut”, tha ai më tej.
Për më tepër, shefi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleschuk njoftoi se forcat ukrainase shkatërruan tetë dronë sulmues rusë dhe pesë nga tetë raketat e gjuajtura gjatë natës mbi rajonet e Kievit, Sumy dhe Poltava, duke shtuar se asnjë nga armët e përmendura nuk e gjeti objektivin e saj dhe se nuk kishte viktima.
Zyrtarët e Kievit thanë gjithashtu se nuk kishte viktima apo dëme në kryeqytet.
Megjithatë, guvernatori rajonal i Kievit, Ruslam Kravchenko tha se dy shtëpi private u shkatërruan dhe 16 të tjera u dëmtuan nga mbeturinat që ranë pas përgjimit të raketave dhe dronëve. /vizionplus.tv