Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi paralajmëroi sot për një “cikël vicioz dhe të rrezikshëm paqëndrueshmërie” që kërcënon rajonin për shkak të luftës së vazhdueshme në Gaza, duke mirëpritur ministrin e Jashtëm francez, Stephane Cezournet në Kajro, siç raportohet nga presidenca egjiptiane.
“Ne duhet të shfrytëzojmë mundësinë e negociatave në vazhdim për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza, e cila do t’i japë fund gjakderdhjes”, tha Sisi, sipas njoftimit për shtyp.
Ministri Cezournet e informoi bashkëbiseduesin për “përpjekjet franceze për uljen e tensioneve” në rajon.
Më herët sot, ministri i jashtëm francez diskutoi me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelati, përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, tha zëdhënësi diplomatik egjiptian Ahmed Abu Zeid.
Ministri francez, i cili po përfundon një turne në Lindjen e Mesme, “u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të mbrojnë civilët”, në një konferencë të përbashkët shtypi me Abdelati.
Vizita është pjesë e një sërë përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare që synojnë parandalimin e një zgjerimi rajonal të luftës në Gaza.
Abdelati, gjatë vizitës së djeshme në Bejrut, tha se një armëpushim në Gaza është “çelësi” në mënyrë që rajoni të mos përfshihet nga një “luftë totale”.
Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Katarin , Egjipti ndërmjetëson bisedimet midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas, të cilat kanë qenë në luftë në Gaza që nga tetori i kaluar.
Bisedimet për armëpushimin përfunduan dje në Doha dhe pritet të rifillojnë javën e ardhshme në Kajro, bazuar në një propozim të ri kompromisi amerikan, i cili mbështetet edhe nga vendet e tjera ndërmjetësuese.
Por Hamasi hodhi poshtë “kushtet e reja” të Izraelit në këtë projekt-marrëveshje të rishikuar./vizionplus.tv