Zhurmat e çekiçëve dhe makinerive të ndërtimit e thyejnë heshtjen e verës në kryeqytetin pothuajse të boshatisur në kulmin e pushimeve vjetore. Më gjithë udhëzimet e Qeverisë kundër për parandalimin e valës së nxehtësisë që punëtorët e ndërtimit të mos dalin në temperatura të larta në mesditë, në qendër të Shkupit, punëtorët po punojnë në ndërtesat e papërfunduara nga projekti kontrovers i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i njohur si “Shkupi 2014”.
Dhjetëra ndërtesa mbetën të papërfunduara dhe të papërdorura pas ikjes së Gruevskit në Hungari dhe ndryshimit të Qeverisë në vitin 2017.
Kryeministri i ri maqedonas, Hristijan Mickoski, si banor i Shkupit ai ndihet shumë i shqetësuar nga kjo çështje dhe se është në kërkim të mënyrës për të përfunduar një pjesë të madhe të atyre ndëresave. Por, të hollat për to në buxhetin e balancuar të këtij viti nuk janë siguruar.
“Nuk parashikohen për arsyen e thjeshtë se ne ende po analizojmë për të parë se cili është statusi ligjor. Sepse një pjesë e atyre objekteve janë investime private. Tani, ne si shtet nuk mund t’i rehabilitojmë ato objekte private. Por, sigurisht se do të donim të bisedonim me investitorët, të punonim, ta përfundonim. Të shohim se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar. Pasi ta përfundojmë atë analizë, të jeni të sigurt se tashmë në buxhet për vitin e ardhshëm do të përfundojë ajo që është puna e shtetit”, tha Mickoski.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a do të vazhdojë të dominojë stili barok në ndërtimin e objekteve, Mickoski u përgjigj shkurt se ai është adhurues i arkitekturës moderne.
“Nuk dua të diskutoj për shijet. Ndoshta dikush ka një shije të caktuar në art që i pëlqen, dikush ka një drejtim tjetër në art që i pëlqen. Ndoshta ajo që nuk më pëlqen mua, i pëlqen dikujt tjetër. Por, unë jam adhurues i stilit modern dhe do të doja që të gjitha ato ndërtesa dhe struktura që përmendët të përfundojnë sa më shpejt, vetëm që të mos ia prishin pamjen kryeqytetit, sepse janë harruar deri më tani. Se a do ta braktisim, këtë duhet ta thonë ekspertët, arkitektët. Po e përsëris, nëse është e mundur, jam adhurues i stilit modern”, tha Mickoski.
Gruevski, i cili ishte promotor i stilit barok të “Shkupit 2014”, mori azil politik në Hungari pas akuzave për korrupsion, dhe pasi partia VMRO-DPMNE, të cilën ai e drejtoi, u kthye në pushtet pas shtatë vjetësh në opozitë pas zgjedhjeve parlamentare të majit.
Ky projekt, i ashtuquajtur arkitektonik-antik i qendrës së kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, është kritikuar shumë nga profesionistët vendës. Monumentet e periudhës antike morën kritika edhe nga Greqia, për shkak të mosmarrëveshjes me emrin “Maqedonia”, e cila u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018, pas së cilës Republika e Maqedonisë ndryshoi emrin e saj në Maqedoninë e Veriut dhe u bë anëtare e NATO-s në vitin 2020.
Ndërkaq, për shtatë vjet derisa pushteti ishte në “duart” e Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), projekti “Shkupi 2014” mbeti në harresë. Dhjetëra pallate “shkëlqejnë” të papërfunduara dhe boshe, qoftë për pamjen e synuar baroke, qoftë për problemet në projektimin e ndërtesës, për shkak të të cilave nuk u dha leje për pranim teknik./REL/