“Të thuash se po i afrohemi një marrëveshjeje armëpushimi është një gabim,” tha sot një zyrtar i lartë i Hamasit, pasi Presidenti i SHBA Joe Biden tha dje, të premten, se një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve “nuk ka qenë kurrë kaq afër.”
“Ne nuk po përballemi me një marrëveshje apo negociata të vërteta, por me imponim të urdhrave amerikanë,” tha Sami Abu Zohri, një anëtar i zyrës politike të Hamasit, në një deklaratë për AFP, duke thënë se pati “një pengesë të madhe” gjatë bisedimeve të mbajtura të enjten dhe të premten në Doha mes vendeve ndërmjetësuese, SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit dhe izraelitëve.
Bisedimet janë njoftuar se do të rifillojnë javën e ardhshme në Kajro.
Biden: Asnjëra palë nuk duhet të minojë përpjekjet
Joe Biden thotë në deklaratën e tij se Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të shkojë në Lindjen e Mesme për të theksuar se “me marrëveshjen e afërt për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, askush në rajon nuk duhet me veprimet e tij të minojë këtë proces”.
Presidenti amerikan nuk e kishte fshehur shqetësimin e tij për sulmin e 31 korrikut në Teheran që i atribuohet Izraelit në të cilin mbeti i vrarë Haniya, lideri politik të Hamasit. SHBA ka paralajmëruar gjithashtu Iranin që të mos ndjekë kërcënimet për hakmarrje, të cilat kanë ngritur shqetësimet për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Biden tha se Blinken do të riafirmojë “mbështetje të palëkundur për sigurinë e Izraelit”, duke vazhduar “përpjekjet tona intensive për të arritur këtë marrëveshje”./vizionplus.tv