Përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të parandaluar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme u intensifikuan të premten, ndërsa ministrat e jashtëm britanik dhe francez bënë një vizitë të përbashkët në Izrael. Bisedimet e armëpushimit në Katar hynë në ditën e dytë.
Përpjekja e re për të arritur një marrëveshje, vjen ndërsa numri i të vdekurve palestinezë nga lufta arriti në 40,000, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës dhe vazhdojnë shqetësimet për një sulm të mundshëm nga Irani dhe Hezbollahu ndaj Izraelit, si hakmarrje për vrasjet e udhëheqësve të lartë të Hamasit dhe Hezollahut.
“Është një moment i rrezikshëm për Lindjen e Mesme”, tha Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy. “Rreziku që situata të dalë jashtë kontrollit po rritet. Çdo sulm iranian do të kishte pasoja shkatërruese për rajonin.”
Zoti Lammy dhe ministri i jashtëm francez Stéphane Séjourné pritet të mbajnë një takim të përbashkët me ministrin e Jashtëm izraelit Israel Katz dhe ministrin e Çështjeve Strategjike Ron Dermer.
“Asnjëherë nuk është vonë për paqen”, tha zoti Séjourné. “Duhet me çdo kusht të shmangim një luftë rajonale, e cila do të kishte pasoja të tmerrshme.”
Ndërmjetësit ndërkombëtarë besojnë se shpresa më e mirë për qetësimin e tensioneve do të ishte një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për të ndalur luftimet dhe për të siguruar lirimin e pengjeve izraelitë.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti filluan një raund të ri bisedimesh të enjten dhe mbajtën bisedime me delegacionin izraelit në Katar. Hamasi, i cili nuk mori pjesë drejtpërdrejt në bisedimet e së enjtes, akuzon Izraelin se ka shtuar kërkesa të reja tek një propozim i mëparshëm që kishte marrë mbështetjen amerikane dhe ndërkombëtare dhe për të cilin Hamasi kishte rënë dakord në parim. Izraeli nga ana e tij akuzon Hamasin se ka shtuar kërkesa të reja.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i quajti bisedimet një hap të rëndësishëm. Ai tha se mbetet shumë punë përpara duke pasur parasysh kompleksitetin e marrëveshjes dhe se negociatorët po i përqendrojnë përpjekjet tek mënyra sesi do të zbatohet ajo.
Diplomatët shpresojnë se një marrëveshje armëpushimi do të bindte Iranin dhe Hezbollahun e Libanit që të tërhiqen nga synimi për t’u hakmarrë për vrasjen e një komandanti të lartë të Hezbollahut në një sulm ajror izraelit në Bejrut dhe udhëheqësit të lartë politik të Hamasit në një shpërthim në Teheran, për të cilin Izraeli konsiderohet gjerësisht përgjegjës./voa