Vedant Patel, zëdhënësi kryesor i DASH-it gjatë një konference për mediat, ka bërë me dije se SHBA nuk do të hezitojë të bëjë çfarëdo që është e nevojshme për sigurinë e personelit dhe popullit amerikan në Kosovë.
“Nuk do të hezitojmë të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme të sigurohemi që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, tha Patel.
Bëjmë me dije se ky reagim vjen pas idesë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë nga qeveria e Kosovës.
SHBA-ja, BE-ja e vende tjera aleate të Kosovës i kanë kërkuar qeverisë që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në rast të ndërmarrjes së një veprimi të tillë, mund të rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë në kuadër të KFOR-it. Ky i fundit e ka lutur qeverinë që të mos vazhdojë me këtë ide në këtë kohë.
Qeveria ndërkaq ka thënë se ura duhet të hapet dhe se e njëjta nuk paraqet rrezik për askënd në Kosovë. /vizionplus.tv