Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se palët janë më afër se kurrë për një armëpushim në Gaza, por nuk është arritur, pasi dy ditë negociata në Doha u pezulluan deri në javën e ardhshme.
“Nuk dua ta them pa siguri… mund të kemi diçka. Por ende nuk e kemi arritur”, u tha Biden gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
“Ne jemi shumë, shumë më afër sesa ishim tre ditë më parë”, shtoi ai.
Megjithatë, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhi, duke folur për Reuters, akuzoi administratën amerikane se po përpiqej të krijonte një “atmosferë të rreme pozitive”, por nuk kishte asnjë qëllim real për të ndalur luftën në Gaza dhe vetëm po përpiqej të blinte kohë.
Nga ana e tij, Izraeli theksoi se presioni nga ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe SHBA-ja do ta shtyjë Hamasin të pranojë një armëpushim për marrëveshjen e lirimit të pengjeve të propozuar më 27 maj, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. /vizionplus.tv