Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari njoftoi se po shqyrtohet mundësia për vendosjen e sistemit të telemedicinës në vende rurale ku ka pak pacientë, përcjell TV21. Taravari tha se kjo do të bëhej në atë mënyrë që prej dy qendrave në spitalet kryesore, të ketë mjekë të cilët online do të kontrollojnë pacientët dhe do të komunikojnë me infermieren në vendbanimin përkatës.
“Kemi idenë e zhvillimit të telemedicinës, çfarë dmth kjo. Jemi duke menduar, ende nuk kemi plan aksional, jemi duke e përgatitur. Dmth në vendet rurale, ku banojnë shumë pak njerëz, mund ta angazhojmë vetëm një motër, p.sh. do të ketë një qendër në Qendrën Klinike në Tetovë dhe në Shkup, ku do të jenë të angazhuar disa mjekë dhe do të japin shërbime mjekësore në distancë, diçka që mund të jetë, diçka që kërkon ekzaminim fizik drejt prej mjekut, do të thotë patjetër të vini dhe do të dërgohet vetura. Ne kemi internet relativisht të mirë në Maqedoni, çfarë na duhet, të përgatisim ordinancat, në disa vende edhe ekziston, të vendoset një televizion i mirë dhe të angazhohet një motër që do të jetë në komunikim online me mjekun që është kujdestar”, theksoi mes tjerash Taravari.