Gjatë muajit korrik, sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar ishte enterokoliti, me 645 raste të raportuara, sipas buletinit mujor për lëvizjen e sëmundjeve akute infektive të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Krahasuar me muajin qershor, është shënuar rritje e numrit të të prekurve nga enterokoliti me 97,9 përqind, ndërsa krahasuar me korrikun e kaluar, është shënuar rritje madje me 50 përqind, transmeton Portalb.
Në vendin e dytë për nga numri i rasteve të raportuara në korrik është lija e dhenve me gjithsej 528 raste të raportuara. Në grupin, nga ana tjetër, e infeksioneve seksualisht të transmetueshme janë regjistruar 13 të sëmurë (pa HIV/AIDS) dhe 6 raste me sifilis, katër raste me hepatit B viral, dy raste me gonorre dhe një rast me klamidia.
Përveç kësaj, pesë raste të konfirmuara të HIV-it dhe dy raste të SIDA-s u raportuan në korrik. Gjashtë janë meshkuj dhe një femër. Për sa i përket moshës, personat janë nga 20 deri në 59 vjeç.
Gjatë muajit korrik, në IShP janë pranuar 1.380 raporte për shkaktar të izoluar dhe të provuar të një sëmundjeje infektive dhe rezistencë ndaj antibiotikëve. Raportimet janë marrë nga laboratorët mikrobiologjikë nga territoret e të 10 njësive rajonale të qendrave të shëndetit publik.
“Patogjenët më të shpeshtë të raportuar në muajin korrik janë: Mycoplasma pneumoniae, MRSA dhe Bordetella pertussis. Sa i përket raporteve për rezistencë ndaj antibiotikëve, përveç MRSA është marrë një listë e rezistencës për: Salmonella enteritidis, Acinetobacter baumannii, Klebsiella pneumoniae, Klebsiella pneumoniae ESBL, Escherichia coli ESB”, thuhet në buletinin e IShP-së.
Kujtojmë se pak ditë më parë, IShP njoftoi se në Maqedoni ka mesatarisht 1 mjek për 6.262 fëmijë të moshës 7-19 vjeç. Sipas ISHP-së, aktiviteti për kujdesin shëndetësor të fëmijëve dhe të rinjve të shkollave zhvillohet në 36 lokacione, të gjitha në qytet. Në këtë aktivitet punojnë 43 mjekë dhe 71 punonjës shëndetësorë me formim profesional të lartë dhe të mesëm.