Departamenti Amerikan i Shtetit e përforcoi sot përmes një deklarate qëndrimin e Uashingtonit se nuk mbështet asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Ibrit në Mitrovicë.
“Hapja e urës për lëvizjen e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it, përfshirë amerikanët, të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë.”
Departamenti amerikan i shtetit i kërkoi qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprimet e njëanshme ta trajtojë çështjen brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Ndërkohë më herët në lidhje me ceshtjen e hapjes së urës së Ibrit ka reaguar edhe KFOR. Përmes një komunikate për media, misioni paqeruajtes i Natos në Kosovë rithekson se është i pranishëm në të gjithë territorin e vendit dhe paralajmëron se nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të zhvillimeve që mund të cenojnë sigurinë.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.”
KFOR ka bërë thirrje që çdo vendim për urën të merret përmes dialogut.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”
Në komunikatë mes tjerash thuhet se misioni do të vazhdojë të koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.