Lojërat Olimpike në Paris nuk patën vetëm medalje, paraqitje dhe rekorde mbresëlënëse, por edhe sportistë që dolën jashtë normës dhe na kujtuan se çdo spektakël duhet të ketë protagonistin e tij. Gratë bënë performanca të pabesueshme me rekordet dhe praninë e tyre, nga arritjet e amerikanes Simone Biles te australianja e patejkalueshme Nina Kennedy dhe britanikja e shumëpërfolur Kelly Hodginson.
Por kush janë emrat që mbushën faqet e para të gazetave me historitë e tyre?
Lexo edhe :
Related Posts
Thomas Cecon
Arsyeja pse fituesi i medaljes së artë italiane është objekt epshi në rrjetet sociale, sigurisht nuk është vetëm medalja: barku i tonifikuar dhe sytë blu të kombinuar me rroba banje sportive dhe një kurorë të improvizuar, të cilën ai nxitoi ta vishte pas fitimit të titullit e bënë lajmin e parë në internet me fansat -kryesisht- femra që po çmenden. Francezët pranuan se Cecon ishte arsyeja e rritjes së shikueshmërisë televizive në Lojërat Olimpike dhe fanset filluan të adhuronin një sportist model pas shumë vitesh.
Megjithatë, ylli i notit, i lindur vetëm në vitin 2001, nuk u ndal në shfaqjen e aftësive të tij të mbinatyrshme, gjë që konfirmoi komentin e një gazetari se “notarët italianë duken si modelet e Calvin Klein”, por ai bëri bujë me videon e tij në TikTok për të zbuluar të gjithë rrugën e tij, si dhe kushtet e vështira në të cilat kanë jetuar sportistët në fshatin Olimpik, gjatë Lojërave. Dhomat ishin të parehatshme pa kondicioner, ushqimi i keq dhe zhurma nuk e linin Cecon të flinte, diçka e nevojshme për një sportist, duke e detyruar kështu të bënte një sy gjumë… në parkun e fshatit Olimpik, pranë një stoli.
Simone Biles
Vetëm 1.42 e gjatë, por me një lëvizje të pabesueshme që mbush stadiume dhe ekrane, Simone Biles është një sportiste fenomen jo vetëm për shkak të medaljeve, por edhe një emër që i ka dhënë gjimnastikës lavdinë e vjetër. Fenomeni i padiskutueshëm pas Comanecit apo super sportistes amerikane me përkatësisht 11 medalje olimpike dhe 30 në kampionatet botërore i jep të gjitha në çdo garë, me këtë përzierje fuqie dhe aftësie të jashtëzakonshme shpërthyese që përmbys të gjitha rregullat e gravitetit. Çka rezulton me lëndime të shpeshta dhe fenomenin e rraskapitjes, që e bëri të rrëfejë pas 4 medaljeve që mori në Paris, në një postim në rrjetet sociale, se ndoshta e ka tepruar.
Frika e saj u konfirmua në mënyrën më dramatike që të nesërmen kur gjatë rutinës së saj humbi ekuilibrin duke ia dorëzuar medaljen e artë rivales së saj italiane. Për një atlete kaq të talentuar, me sponsorët që konkurrojnë për një partneritet me të dhe me “Forbes” që rendit të ardhurat e saj nga partneritete të ndryshme në rreth 10 milionë dollarë në vit, fitoret sigurisht duken shumë më mbresëlënëse sesa humbjet. Megjithatë, në realitet, ato ishin gjithashtu të dhimbshme, pasi, siç pranoi Biles në Lojërat e mëparshme të Tokios, paqëndrueshmëria mendore që përjetoi nga konkurrenca e ashpër nuk e lejoi atë të garonte, duke hapur një debat të madh në atë kohë për shëndetin mendor.
Luana Alonso
Ajo është ndoshta e vetmja atlete që ka pozuar duke kërcyer gota shampanjë në një restorant të shtrenjtë në qendër të Parisit, ku kishte kohë të vizitonte butikun Yves Saint Laurent – sigurisht me leje! – dhe fluturoi për në Disneyland për të parë Mickey dhe Minnie, pa u shqetësuar shumë për performancën e saj. Edhe sikur të mos ishin këto arsyet pse Luana Alonso u përjashtua nga Lorina Scherer, gjegjësisht kryetarja e delegacionit të Komitetit Olimpik të Paraguajit, nga Fshati Olimpik, por fotot seksi që ajo postoi në rrjetet sociale me rroba banje, me siguri tregojnë se ajo nuk ishte shumë e mërzitur.
Ajo përfundoi e gjashta në garat e saj në 100 metra flutur, një disiplinë në të cilën ajo spikat, dhe mbylli më shumë marrëveshje me sponsorët francezë për një sërë reklamash dhe oferta modelimi. Veç kësaj, polemika nuk i kushtoi shumë, pasi ajo deklaroi se gjithsesi po i jepte lamtumirën pishinave, ndërsa në një postim në rrjetet sociale mohoi se ishte dëbuar nga Fshati dhe se e gjitha ishte thjesht një gënjeshtër. Bukuria e saj, megjithatë, është padyshim krejtësisht e vërtetë.
Jusuf Dikec
E quanin agjent, e krahasuan me Xhejms Bondin, e kanë bërë tashmë yll në librat komik dhe muralet në të gjithë botën, deri në Bogota. Gjithë ai adhurim për idhullin e Olimpiadës së sivjetme që mund të thotë fare mirë se “Unë quhem Jusuf” pa pasur nevojë as të imitojë stilin e agjentit të famshëm.
Në të njëjtin stil “cool”, olimpisti turk arriti të merrte medaljen e argjendtë në qitje, me dorë në xhep dhe vetëm me një bluzë, në vend të xhaketave speciale që rrisin qëndrueshmërinë e trupit, madje as dorezat dhe kufjet për anulimin e zhurmave apo syzet special. Megjithatë, mbi të gjitha, ajo që e bëri atë menjëherë viral ishte stili i tij i paimitueshëm, i cili dukej se nuk ndryshonte nëse ai mbante armën apo macen e tij të dashur në divanin e shtëpisë. Përsa i përket moshës, nuk ishte problem për sportistin më të vjetër olimpik, i cili edhe pse mbushi 50 vjeç, nuk u dorëzua dhe kështu fitoi medaljen e parë pas pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike të Pekinit dhe Londrës.
Arisha True
Ajo është olimpistja më e re në historinë e Lojërave dhe ajo që fitoi të artën në skateboarding për femra në moshën vetëm 14-vjeçare, me një ndryshim nga rivalet e saj të radhës.
Në një garë spektakolare në Place de la Concorde, ku është ngritur parku i patinave, australiane Arisha True mahniti turmën me truket e saj. Ajo megjithatë ka deklaruar se është e lumtur që fitoi medaljen e artë, por edhe që falë kësaj, nëna e saj do ta përmbushë premtimin e saj për t’i marrë më në fund një rosë për kafshë shtëpiake!
Nina Kennedy
Shiriti u ngrit disa herë derisa arriti në 4.90, në kërcimin me shtizë, të cilën atletja australiane e lindur në 1997-ën e kaloi lehtësisht. Të gjithë thonë se ajo e meritonte, jo vetëm sepse jetoi makthin absolut të përjashtimit nga Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të dyshimit për COVID, por edhe për shkak të një reagimi të ashpër të lëndimeve.
Gjithsesi, çdo pengesë dukej se ishte për të mirë, pasi ajo arriti të grumbullonte në një vit po aq medalje sa çdo kërcimtare me shtizë, duke thyer të gjitha rekordet në vendin e saj, madje duke arritur në 4.95. Gjithsesi, më e rëndësishmja për të, sipas deklaratave të saj, është se arriti të kapërcejë periudhat e depresionit që e kishin lënë jashtë pistave dhe jashtë jetës shoqërore për një kohë.
Leon Marchand
Legjenda e basketbollit LeBron James mund të ketë menduar se ovacionet masive gjatë ndeshjes çerekfinale të SHBA-Brazilit ishin për të, por në fakt ishin për yllin e ri të medaljeve Leon Marchand. Bashkatdhetarët e tij u ekzaltuan kur panë notarin francez të hynte në pishinë, duke i lënë përshtypjen e gabuar yllit të basketbollit amerikan se brohoritjet ishin për të.
22-vjeçari mbajtës i pesë medaljeve në not, katër të arta dhe një bronzi, ka bërë francezët të çmenden duke folur për fenomenin më të madh në historinë e sportit francez. Nuk është rastësi që Marchand tani stërvitet me Bob Boëman, ish-mentorin e Michael Phelps, ku shumë thonë se stili dhe performanca e tij e notit i ngjajnë shumë legjendës amerikane dhe olimpike.
Madje, ngritja meteorike e ka kthyer sportistin e ri francez në një yll mediatik shumë të dashur, por ai tregon se mendja i mbetet në pishinë. Sipas gazetës “Parisien”, Marchand refuzoi një intervistë me yllin e gazetarisë franceze Lea Salame në emisionin e njohur sportiv “Quels Jeux” (Çfarë lojërash!), duke thënë se stili i saj nuk ishte në përputhje me parimet e tij, pa sqaruar saktësisht se çfarë do të thotë. Më në përgjithësi, ai mbetet i mbyllur për intervistat, duke këmbëngulur se qëllimi i tij është kampionati, jo publiciteti.
Noah Lyles
Në serinë e dokumentarëve të Netflix “Sprint”, Noah Lyles shfaqet si superylli i fundit me një kostum të bardhë me tegela, perlat e njohura në flokët e tij dhe thonjtë e lyer, siç bën zakonisht në çdo paraqitje. Në një shënim krejtësisht tjetër, në paraqitjen e tij televizive në emisionin e Jimmy Fallon, olimpisti amerikan veshi një xhaketë lëkure të zezë me pantallona të zeza të njëjta, duke i dhënë rrjeteve sociale një ushqim tjetër se cilin stilist do të preferonte për paraqitjen e tij të radhës.
Atleti që duket se i do markat e shtrenjta po aq sa atletikën, nuk është rastësi që ka një stilist personal dhe harxhon orë të tëra duke studiuar çdo dalje të tij në stadium. Megjithatë, për një atlet të zënë dhe një yll të madh në Amerikë, ai ia doli shumë mirë, duke fituar medaljen e artë në 100 metra për meshkuj dhe të bronztën në 200 metra. Vëmendja e botës, megjithatë, nuk erdhi nga medaljet, as nga paraqitjet e tij ekscentrike, por nga pranimi i sinqertë se ai ka “astmë, alergji, disleksi, ADHD” dhe pavarësisht të gjithave ai ka arritur të jetojë ëndrrën e tij në maksimum.
Imane Khelif
Khelif mund të ketë kaluar shumë në vendin e saj, ku ata luftojnë për të kuptuar konceptin e një personi interseks, por tani ata janë duke festuar medaljen e artë që ajo fitoi të premten mbrëma në boks. Pavarësisht debateve të shkaktuara nga përballja prej vetëm 46 sekondash me Carinin e Italisë, e cila u tërhoq duke qarë dhe duke deklaruar se ishte hera e parë që goditej aq fortë, algjerianja nuk pushoi së festuari çdo fitore në rrugën e saj drejt lavdisë.
Në këtë proces, konflikti mund të jetë zgjidhur me deklarata nga të dyja palët dhe me njoftime të ndryshme për dallimin midis një personi interseksual dhe një personi transgjinor.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pranoi pjesëmarrjen e Kelif, ndryshe nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA). Babai i Kelifit, megjithatë, shprehet se vajza e tij ka lindur vajzë dhe se ia ka dalë në kushte të vështira dhe me bullizmin që është një çështje e përditshme për të. /vizionplus.tv