Varshava ka nënshkruar një marrëveshje prej 1.13 miliardë eurosh për prodhimin e 48 raketave anti-ajrore amerikane Patriot për të forcuar mbrojtjen e Polonisë në kufijtë e saj me Rusinë dhe Ukrainën.
Sistemet M903 do të prodhohen në Poloni, siç parashikohet në marrëveshjen e nënshkruar midis amerikanëve Raytheon dhe grupit polak Huta Stalowa Wola dhe do t’i dorëzohen ushtrisë polake në periudhën 2027-2029.
“Marrëveshja forcon sigurinë e Polonisë,” tha ministri polak i mbrojtjes Wladysłaë Kosniak-Kamis gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
“Kjo është një kontratë e re madhore që është pjesë e modernizimit të ushtrisë polake e cila është përshpejtuar që nga pushtimi rus në Ukrainë.”
Polonia, një aleat i rëndësishëm i Ukrainës, do të shpenzojë më shumë se 4% të PBB-së së saj për mbrojtjen këtë vit, që përkthehet në 33 miliardë dollarë.
Polonia, e cila vazhdon të marrë pajisje të rëndësishme ushtarake nga SHBA dhe Koreja e Jugut, nënshkroi të premten një marrëveshje me Uashingtonin për të blerë qindra raketa ajër-ajër AIM-120C AMRAAM, një kontratë me vlerë 855 milionë dollarë (783 milionë euro).
Sipas raportimeve të mediave, të dy vendet do të nënshkruajnë të martën e ardhshme marrëveshjen përfundimtare për blerjen e 96 helikopterëve luftarakë amerikanë AH-64E Apache me vlerë 9 miliardë euro.
Në funksion të kësaj blerjeje, Polonia nënshkroi javën e kaluar me kompanitë amerikane Boeing dhe General Electric një marrëveshje përfitimesh kundërbalancuese industriale.
Këto kanë të bëjnë me transferimin e përgjegjësisë për mirëmbajtjen e këtyre helikopterëve tek fabrikat polake me kontrata në total 215 milionë euro./vizionplus.tv