Zjarrfikësit në Greqi po përballen me një situatë të vështirë për shkak të zjarreve që kanë përfshirë disa zona të Athinës.
Banorët janë detyruar të evakuohen, ndërsa dhjetëra zjarrfikës po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët e shkaktuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Të paktën pesë zjarre kanë shpërthyer që nga mëngjesi, dy prej të cilave në Atikë, me frontet e vendosura në Neo Mazi Megaron dhe Varnavas, sipas medieve vendase.
Sipas informacioneve, më shumë se 10 banorë janë dashur të nxirren nga banesat e tyre, pasi kanë mbetur të bllokuar nga flakët, e më pas janë transportuar në spital, me probleme në rrugët e frymëmarrjes.
Në dy zonat ku janë ndezur dy zjarret, tashmë shtëpitë janë djegur nga flakët ndërsa vazhdimisht dëgjohen shpërthime.
Flakët arrijnë deri në 25 metra, sipas përfaqësuesit për shtyp të Zjarrfikësve, Vassilis Vathrakoyiannis.
Zjarri shkaktoi dëmtime në disa shtylla elektrike dhe rrjedhimisht ndërprerje të energjisë në Bashkinë e Maratonës.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, forcat tokësore dhe ajrore u përforcuan në frontin e Varnavas.
Pamjet që vijnë nga dhjetëra zona të Atikës janë të frikshme. Tymi i dendur që u përhap në qiell është i dukshëm jo vetëm nga zonat afër Varnavasit, por ka arritur në qendër të qytetit, Turkovunia, deri në Faliro.
/vizionplus.tv