Grupi gjerman Lufthansa ka zgjatur pezullimin e fluturimeve drejt Tel Aviv, Teheranit, Bejrutit, Amanit dhe Erbilit deri më 21 gusht, njoftoi sot linja ajrore, mes frikës për një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Lufthansa nuk do të përdorë hapësirën ajrore iraniane dhe irakiane gjatë kësaj periudhe”, thuhet në një deklaratë.
Në të njëjtën kohë, pezullimi i fluturimeve të Air France dhe filialit të saj Transavia France për në Bejrut është shtyrë sërish, deri më 14 gusht, për shkak të situatës gjeopolitike në Liban, siç thanë sot dy linjat ajrore për Agence France-Presse.
Rifillimi i operacioneve, i pezulluar më 29 korrik për shkak të“situatës së sigurisë në Liban, do të varet nga një vlerësim i ri i situatës në rajon, sipas deklaratës së Air France.
Ky pezullim ka të bëjë me lidhjet midis aeroportit Paris-Charles de Gaulle dhe Bejrutit, si dhe fluturimet për dhe nga Libani të operuara nga Transavia France.
“Air France rithekson se siguria e klientëve dhe ekuipazhit të saj është prioriteti i saj absolut”, thuhet në deklaratë.
Disa linja ajrore të tjera kanë pezulluar fluturimet për në kryeqytetin libanez mes frikës së një përshkallëzimi ushtarak midis Izraelit dhe Hezbollahut./vizionplus.tv