Presidenca e Kosovës ka reaguar pas raportit të Agjencisë së Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut.
Në një komunikatë për media, Presidenca ka vlerësuar se sjellja e sigurimit ka qenë joprofesionale.
“Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet nga Presidenca.
Sipas Presidencës, në asnjë vend të botës presidentes nuk i kërkohet telefoni për skanim.
“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike”, thuhet në reagim.
Ky reagim erdhi pas një raporti nga Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut.
Është publikuar raporti i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut, lidhur me incidentin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit.
Inspektorët kanë bërë një inspektim fillestar, ku është konstatuar se shërbimet e aeroportit kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat ndërkombëtare në këtë incident.
Sipas të gjeturave, presidentja e Kosovës kishte refuzuar kontrollat edhe në vitin 2022 dhe 2023.
“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i avionit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie. Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre”, theksojnë nga Autoriteti në Maqedoninë e Veriut, raporton Telegrafi në Maqedoni.
“Meqenëse këto janë standarde ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht, nëse dikush dyshon në besueshmërinë e tyre, ata rekomandojnë të aplikojnë të njëjtën praktikë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane, në mënyrë që të jenë të sigurt për zbatimin e tyre”, thuhet në reagim.
Incidenti është përcjellur me shumë reagime, madje edhe mospajtime mes kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët për medie me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Hristjan Mickoski, u shpreh se Kosova nuk ka qëndrim se incidenti i presidentes, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, është cilësuar si provokim.
“Nuk e di që kem pasur qëndrim të tillë (si provokim) si institucione të Republikës së Kosovës. Mund ta ketë ndokush prej qyetatërve por jo institucionet. MPJ ka dhënë deklaratë që paraqet qëndrimin tonë, po ashtu kemi parë qëndrimin e MPJ-së maqedonase.” – ka thënë Kurti
Madje, Kurti bëri thirrje edhe që të zbardhet rasti.
“Besoj që duhet të synojmë të vërtetën dhe kurrësesi tensionimin, le të zbardhet rsati. Kryeministri Mickoski dhe unë s’mund ta bëjmë zyrtarin doganor dhe policin hetues dhe inspektoriatin e policisë…siç u tha në takim po bëhemi ngadalë dhe sigurt eskpert të detaje takimeve.” – ka thënë tutje ai.
“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e Presidentes, shkëlqesisës Vjosa Osmani me 2 gusht në aeroport. Aq më tepër që ka qenë me familje dhe dy vajza të vogla. Autoritetet e RMV-së, krerët shtetërorë kanë shprehur keqardhje, dhe do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje, që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur por edhe të mos përsëriten kurrë më sitauta të tilla” – u shpreh Albin Kurti.
Në anën tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, u shpreh:
“Kjo për ne shkaktoi një ndjenjë dhe na vjen keq, dhe s’duam të përsëritet. Personalisht thekosva se Presidentja e Kosovës është e mirëseardhun, si të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe do ta kisha kënaqësi ta pres si nikoqire në aeroportin e Shkupit”
“U nënvizua se sipas informacionet që kemi nga aeroporti, ndiqen standarde të qarta kur kemi fluturime komerciale, dhe edhe unë i nënshtrohem këtyre procedurave.” – ka thënë ai.
Presidenca e Kosovës ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se mënyra se si u trajtua incidenti gjatë konferencës për media është për keqardhje.
Përmes një komunikate për media, presidenca ka thënë se kjo i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.” – thuhet në komunikatë.
Veç kësaj, presidenca ka thnë se nuk duhen raporte e as hetime shtesë, sepse janë jorelevante pas pranimit të institucioneve të Maqedonisë së Veriut se ky rregull u imponua qëllimshëm.
“…për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.”