VMRO-DPMNE i bëri thirrje LSDM-së të tregojë nëse distancohet nga plani i BDI-së për të destabilizuar vendin, pas paralajmërimit të kryeministrit Mickoski se Maqedonia e Veriut do të përballet me kërcënim të sigurisë nga BDI-ja gjatë kësaj vjeshte, shkruan Alsat
Partia në pushtet gjithashtu thekson se partia e Ahmetit tashmë ka pranuar se përmes protestave planifikojnë të bëjnë destabilizim.
“LSD të mos heshtë dhe të mos fshihet, duke menduar se askujt nuk do t’i kujtohet t’i pyes nëse e mbështesin BDI-në në idenë e destabilizimit të vendit apo jo. BDI u zbulua, pranoi se planifikon protesta dhe destabilizim të vendit. Prandaj, nëse LSD nuk distancohet menjëherë, kjo do të thotë se ata janë vetëm një partner më i vogël si më parë për kryerjen e krimit të drejtuar nga BDI-ja”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM-ja opozitare porositën se deklaratat e kryeministrit për destabilizim të mundshëm u bënë vetëm për të krijuar frikë në mesin e qytetarëve. I bënë thirrje Mickoskit t’i denoncojë informacionet tek autoritetet kompetente.
“Ata krijojnë vetëm kaos në opinion dhe konsideron se është vetëm për të mbjellë frikë në mesin e qytetarëve, jo se në të vërtetë ka informacione. Megjithatë, edhe me këtë rast, i bëjmë thirrje kryeministrit, nëse ka çfarëdo njohurish, t’ua japë informacionet institucioneve kompetente, në mënyrë që ata të mund të reagojnë në kohën e duhur”, u shpreh Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së.
Nga ana tjetër, partneri i koalicionit në Qeveri, VLEN, shprehu dyshime se paralajmërimet për destabilizim mund të realizohen. Besojnë se këto paralajmërime të BDI-së janë vetëm përpjekje për të krijuar panik në opinion.
Megjithatë, nga BDI-ja nuk përjashtuan mundësinë e organizimit të protestave për të mbrojtur legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve. Ata gjithashtu duan që parimi i koalicionit fituesi me fituesin të bëhet pjesë e rendit ligjor në vend.(Alsat.mk)