Më 13 gusht – BDI shënon ditëlindjen e saj, ndërsa e paralajmëron strategjinë e veprimit të saj në opozitë. Nga 13 gushti e deri më 1 shtator, Grupi parlamentar i Frontit Europian do të dorëzojë së paku dy propozim-ligje në Parlament, ndërsa i pari do të jetë Ligji për formimin e Qeverisë me formulën “Fituesi me fituesin”. Konkretisht, ky Ligj i përgatitur nga autori i dikurshëm i Marrëveshjes së Ohrit, Pol Uilliams, parasheh ndryshime edhe në Ligjin për Presidentin dhe dorëzimin e mandatit për formimin e Qeverisë.
Ligji për formimin e Qeverisë “Fituesi me fituesin” parasheh që Presidenti, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe certifikimin e rezultateve, të ndajë dy mandate – njërin fituesin në bllokun maqedonas dhe një për partinë fituese në bllokun shqiptarë, shkruan gazeta KOHA.
Ligji i dytë që do ta dorëzojë Fronti Europian në Parlament ka të bëjë me koalicionet dhe pushtetin lokal. Konkretisht, e njëjta formulë do të vlejë edhe për udhëheqjen e komunave, ku në qytetet e përziera etnikisht, Këshillin komunal ta përbëjnë dy partitë fituese – njëra shqiptare dhe tjetra maqedonase.
“Në ndërkohë, pas 1 shtatorit, Ali Ahmeti me Kryesinë e ngushtë të partisë do të zbret në terren, konkretisht pritet ta vizitojë çdo Këshill vendor të partisë dhe në këto takime – nuk do rezervohet me akuza ndaj VLEN-it dhe VMRO-së. Takimet do të vijojnë përgjatë tërë shtatorit, e më pas, nëse Qeveria refuzon dy propozim-ligjet, nuk përjashtohet mundësia e organizimit të protestave nëpër qytetet e vendit”, thonë për KOHA, zyrtarë të lartë të partisë.