Partia politike në pushtet i Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE, ka dalë me një komunikatë në lidhje me incidentin në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo parti ka thënë se shefja e shtetit të Kosovës “Vjosa Osmani kishte shkelur edhe më parë protokollet dhe procedurat”, shkruan Reporteri.
Në këtë komunikatë përmendet edhe padia ndaj sigurimit të kryeparlamentarit Afrim Gashi. VMRO-DPMNE ka cituar edhe pjesë të një procesverbali rreth ngjarjeve, ku sipas tyre Presidentja e Kosovës ka kryer shkelje.
“Pas arritjes në sektorin VIP, ndërmjet përgjegjësit për protokollin e delegacionit dhe shërbimit të sigurisë së aeroportit, ka pasur një keqkuptim pasi ai, duke u thirrur në imunitetin diplomatik të presidentes, nuk është pajtuar që bagazhi personal i presidentes së Kosovës të kontrollohet në skaner,” thuhet në procesverbalin e datës 16.09.2023, thekson partia maqedonase që udhëheq qeverinë atje.
“E njëjta situatë u përsërit edhe më 9 tetor. Pala kosovare pretendon se falë imunitetit diplomatik, bagazhi i presidentes nuk duhet të kontrollohet”
“Pasi arritën në sektorin VIP, personi përgjegjës për sigurinë e delegacionit dhe drejtori i protokollit (që atë ditë ishte personi D.M me numër personal 5785) (nga delegacioni kosovar) u informua se nuk pajtohen që bagazhi personal i presidentes së Kosovës të kalojë në kontrollin e skanerit. Arsyet për këtë bazohen në imunitetin diplomatik të presidentes. Kapiteni i fluturimit dhe përfaqësuesi i “Croatia Airlines”, duke u thirrur në standardet ndërkombëtare dhe programin kombëtar të sigurisë, theksoi se derisa të kontrollohen bagazhi, ata nuk do të pranohen në fluturim,” thuhet në procesverbalin e datës 09.10.2023. Atëherë Ministria e Brendshme ka heshtur, ndërsa LSDM dhe BDI kanë shërbyer për shkeljen e ligjeve. LSDM me deklaratat e tyre po qëllojnë veten në tëmth”, thuhet në komunikatë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj jave ka vizituar Shkupin. Atje është diskutuar edhe çështja e këtij incidenti. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut që është kryetar i VMRO -DPMNE kishte shprehur keqardhje, por ka thënë se rregullat janë të tilla. Ndërkaq, Kurti kishte thënë se po presin një raport zyrtar rreth incidentit.
Osmani është përballur incidentin në Aeroportin e Shkupit, javën e kaluar, ku sipas Presidencës, sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare për mardhënie diplomatike.