Milani e mbylli pozitivisht turneun amerikan të verës, pasi mundi me penallti Barcelonën në takimin e luajtur në Baltimore.
Kuqezinjtë zhvilluan 3 ndeshje në SHBA dhe koleksionuan 3 fitore gjithashtu.
Ndaj katalanasve, takimi në kohë të rregullt përfundoi 2 me 2.
Për skuadrën e Fonsekës, protagonist i pjesës së parë për italianët ka qenë amerikani Kristjan Pulisic.
Në golin e parë të shënuar nga Jovic, ai dha pasimin e fundit. Pak më vonë Pulisic la shenjën e tij të rëndësishme në ndeshje, duke shënuar një gol të bukur.
Reagimi i spanjollëve ishte i shpejtë mirëpo portieri i talentuar i Milanit, i riu Torriani, shpëtoi dy herë portën.
Megjithatë ai u dorëzua në minutën e 22 kur Rafinja shërbeu saktë për Levandoskin që rihapi sfidën.
Në pjesën e dytë katalanasit rritën presionin dhe shtuan dominimin duke konkretizuar sërish me sulmuesin polak.
Deri në fund nuk pati më ndryshim rezultati dhe dueli shkoi te penalltitë ku protagonist ishte djaloshi i portës kuqezi Torriani që priti dy 11-metërsha.
Në pritje të emrave big që nuk ishin më ekipin si Menjon, Teo Hernandez apo Morata, trajneri Fonseka mori përgjigje pozitive nga turneu amerikan edhe pse Milani ka nevojë për blerje duke qenë se nisja e kampionatit në datë 17 gusht është në prag.
Në një tjetër miqësore luksi në SHBA, Reali i Madrid, kampion euro në fuqi, mundi Chelsean 2 me 1.
Anceloti luajti me gjysmën e titullarëve në pritje që ta ketë grupin e plotë, aq më tepër që në prag është superkupa e Europës.
Protagonist në pjesën e parë për madrilenët ishin Lukas Vaskes dhe Brahim Diaz që shënuan për ekipin spanjoll. Për Chelsean shkurtoi diferencat Madueke në fundin e pjesës së parë, por rezultati deri në fund nuk ndryshoi më.
Asnjë minutë tek londinezët për Armando Brojën që është në merkato.
Reali do të luajë në 14 gusht në superkupën e Europës kundër Atalantës, ndeshje e cila transmetohet në Vizion Plus.