Deputeti i Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku ka folur për vizitën zyrtare të kryeministrit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga homologu i tij Hristijan Mickoski.
Qoku përmes një shkrimi në Facebook thotë se kjo është vizita e parë që i bëhet qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut nga një kryeministër i një shteti të huaj.
Sipas tij, është e natyrishme që të dy shtetet të kenë raporte të mira.
“Dhe s’ka as pse të ishte ndryshe. Në Maqedoninë e Veriut jetojnë statistikisht rreth 30% shqiptarë, aq shqiptarë sa ka edhe përbërja e qeverisë së shtetit. Duhet të jetë krejt e natyrshme që këto shtete të kenë raporte jo vetëm të mira, por të shkëlqyeshme. Ashtu siç ka raporte natyrshëm të mira Zvicra me Italinë, Gjermaninë dhe Francën për shkak të përbërjes së komuniteteve gjuhësore që i ka. Po njëjtë siç ka Kanadaja me Francën, Belgjika me Holandën etj”.
Sipas tij, mosrespektimi i lidhjeve historike dhe kulturore të popujve që jetojnë në të dyja shtetet, çon në mënyrë të pashmangshme në situata të pakëndshme me pasoja të padëshirueshme për askënd.
“Maqedonia e Veriut dhe Kosova po ngrenë nivelin e raporteve të mira fqinjësore.
Takimi i ditës së hënë duket edhe nga jashtë se u zhvillua në atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Janë trajtuar tema konkrete dhe pragmatike që do thellojnë bashkëpunimin dhe rrisin mirëqenien e dy vendeve, ndërsa nuk është biseduar për folklorizma që kanë qenë tema të shpeshta të së kaluarës.
Urojmë që sa më shpejtë të realizohet edhe mbledhja e të dyja qeverive”, shtoi Qoku.