Berat Gjimshiti do të vazhdojë të jetë një lojtar i Atalantës. Këmbëngulja e sheikëve nga Katari për të afruar mbrojtësin e Atalantës nuk ka dhënë rezultate.
Kapiteni i Shqipërisë ka vendosur të refuzojë një ofertë që shkonte përtej 4 milionë eurove në sezon, gati dyfishi i asaj që fiton sot te klubi italian. Klubi Al Rajan i ofroi një kontrate 3-vjeçare Gjimshitit dhe 15-20 milionë euro Atalantës për kartonin e tij.
Mirëpo përtej shifrave të rëndësishme financiare, kapiteni i kombëtares shqiptare, zgjodhi karrierën. Shqiptari nga Lugina e Preshevës luajti titullar në miqësoren e fundit që bergamaskët zhvilluan kundër Parmës në stadiumin “Tardini”.
Ai do të luajë në sezonin e ri në Champions League me Atalantën, por sezoni do të nisë shumë më shpejt me një ndeshje luksi, superkupën e Europës kundër Real Madrid në datë 14 gusht, ndeshje e cila do të transmetohet ekskluzivisht në Vizion Plus.