Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë me dije se ka paraqitur kallëzim penal ndaj shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi në lidhje me incidentit në të cilin u përfshi presidentja e Kosovës, Osmani në aeroportin e Shkupit.
Ai është pezulluar nga puna dhe ndaj tij rëndojnë kallëzimet për cenim të sigurisë dhe pengim i personit zyrtarë.
Procedurë disiplinore është ngritur edhe ndaj dy policëve të tjerë.
“I denoncuari ka ardhur në Aeroportin e Shkupit me veturë në parkingun e sektorit VIP. Ka dalë nga vetura dhe ka nxjerrë armën, e ka përgatitur dhe përsëri e ka kthyer në bel. Policit që ka qenë i sistemuar te dera i është qasur me zë të lartë dhe i është kërcënuar. Polici është dërguar në Aeroport nga kryetari i Kuvendit me qëllim tejkalimin e mosmarrëveshjes së krijuar me presidenten e Kosovës. Ai bashkërisht me dy policë të tjerë, duke lëvizur nëpër pjesën ku nuk e kanë të lejuar të lëvizin, i janë kërcënuar me jetë të punësuarve në TAV dhe policëve duke kërkuar që presidenten ta dërgojnë me veturë deri te aeroplani”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Bëjmë me dije se më 1 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj. /vizionplus.tv