Mjafton një vështrim në mbrëmje nëpër ndërtesat e Shkupit, veçanërisht në lagjet luksoze në Qendër dhe Vodno, për të parë se sa banesa janë ndërtuar, por në to nuk jetojnë as pronarë e as qiramarrës. Të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë tregojnë se pothuajse 37% ose mbi 307 mijë apartamente nuk kanë banorë. Prej tyre rreth 60 mijë banesa janë në kryeqytet. Viteve të fundit, me trendin e rritjes së numrit të ndërtimeve, numri i banesave të zbrazëta është edhe më i madh.
“Nga komunat e Shkupit, më së shumti banesa bosh ka Qendra – 10.865 ose mbi 40% nga numri i përgjithshëm, ndërsa Çairi ka numrin më të vogël të banesave bosh – 22.5% nga gjithsej 17.771 banesa. Më shumë se gjysma e banesave janë bosh në Ohër dhe Berovë, dhe mbi 2/3 në Dojran. Por edhe regjistrimi ka treguar se në të njëjtën kohë në 20 vitet e fundit numri i banesave është rritur për 141.031, pra për 20%”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Sipas ekspertëve, do të ketë kërkesë për apartamente të lira derisa të krijohen kushte të mira jetese edhe në vende më të vogla. Si pasojë, kjo ndikon në rritjen enorme të çmimeve të patundshmërive. Aktualisht, çmimi mesatar për metër katror i një apartamenti të ri në Shkup lëvizë nga 1000 deri në 1800 euro, në varësi të vendndodhjes. Kjo do të thotë se për një apartament 60 m3 duhet të paguhen nga 60 deri në 100 mijë euro, që për shumëkënd është e paarritshme edhe në rast të aplikimit për kredi banesore, duke marrë në konsideratë shtrenjtimin e jetës të viteve të fundit dhe inflacionit. Në Maqedoni, konkretisht në Shkup, çmimet e apartamenteve në gjysmën e parë të këtij viti u rritën 4,7%.
Arkitekti Betim Zeqiri thotë madje se çmimi për metër katror është i mbivlerësuar, sidomos duke marrë në konsideratë edhe cilësinë gjithnjë e në rënie të ndërtimeve të reja.
“Unë mendoj se jemi të gjithë njësoj si në Prishtinë, Tiranë, ndoshta edhe në Sofje, e cila ka të tjera zhvillime sepse janë në BE dhe e kanë të koordinuar planifikimin hapësinor. Ndërsa te ne, janë ende ato lëvizjet stihike që bazohen në diçka të përkohshme pa ndonjë plan të përgjithshëm. Jemi në një frymë të ballkanizimit”, tha Betim Zeqiri, Arkitekt.
Nga Shoqata e ndërtimtarëve thonë se kostot nuk janë reale por derisa ka se kush të paguajë, pse jo çmimet të jenë në qiell. Andrea Serafimovski, nga kjo shoqatë tha se është rritur kostoja e ndërtimit dhe e krahut të punës, por edhe parcelat sipas ve/ndndodhjes ka ndikuar në rritjen e çmimit të shitjes finale.
“Derisa të ketë blerës krahas çmimit që ofrohet nuk ka kushte për ulje të çmimeve. Unë shpresoj se me miratime më të shumta të lejeve për ndërtime do të rriten kapacitet e akomodimit duke plotësuar kërkesat dhe do të normalizohen çmimet, të cilën gjithsesi do ta diktojë tregu. Ka shumë gjëra pa logjike edhe në rrethinë, nëse i pyesim ekspertët askund nuk është çmimi real prandaj ky trend është thjeshtë sipas raportit të ofertës dhe kërkesës”, deklaroi Andrea Serafimovski, Shoqata e ndërtimtarëve.
Çmimet e banesave u rritën në 18 vende anëtare të BE-së gjatë periudhës së inflacionit, ndërsa ranë në 8 prej tzre. Megjithatë, ky rregullim i tregut, nuk shihet ende si opsion në vendin tonë. /Alsat.mk