Kandidati republikan për nënpresident është personi i parë nga i ashtuqujaturi brezi i mijëvjeçarit, të lindurve deri para vitit 2000, që kandidon me një nga partitë kryesore politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Cherneff, na njeh me atë që presin nga zgjedhjet e nëntorit votuesit e brezit të ri.
“Është privilegji im i madh të prezantoj bashkëshortin tim dhe Nënpresidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, JD Vance”, tha bashkëshortja e tij, Usha Vance.
JD Vance do të bëhet ndër nënpresidentët më të rinj në moshë nëse fiton zgjedhjet në nëntor përkrah ish-Presidentit Donald Trump.
Zoti Vance dhe bashkëshortja e tij i përkasin brezit të mijëvjeçarit, një grup demografik që sipas Qendrës Kërkimore Pew përbëhet nga personat e lindur në periudhën 1981-1996.
Në Shtetet e Bashkuara, ky brez përballet me sfida ekonomike, si borxhet e mëdha studentore dhe çmimet e larta të shtëpive. Këta të rinj njihen për aftësitë e përshtatjes me teknologjinë, apo për ndikimin që patën në formimin e tyre sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, për të cilat zoti Vance thotë si i ndryshuan perceptimin për jetën.
“Pas 11 shtatorit veprova si mijëra të rinj të tjerë në atë kohë me patriotizëm në rritje dhe dashuri për vendin. U bëra marins i Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Vance.
Sarah Gardner, një votuese që i përket këtij brezi në Teksas thotë se republikanët do ta përkrahin zotin Vance.
“Kemi shumë politikanë të moshuar në Uashington dhe disa prej tyre kanë qenë aty prej shumë kohësh. Prandaj është shumë mirë të jetë dikush me ide të reja që mund të sjellë një perspektivë të re dhe të përfaqësojë vërtet votuesit e rinj”, thotë ajo.
Tashmë që Kamala Harris pritet të jetë kandidatja demokrate për presidente, anketimet e opinionit publik tregojnë një rritje të mbështetjes për të nga votuesit e rinj.
“E dimë se në këto zgjedhje votuesit e rinj do të jenë çelësi dhe e dimë se nuk mund ta marrim votën tuaj automatikisht. Duhet ta fitojmë. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, tha zonja Harris.
Në Kaliforni, David Meraz thotë se zonja Harris është zgjedhja më e mirë për votuesit e rinj.
“Mendoj se në këtë moment, për të patur një proces konkurrues, ajo përfaqëson diçka të re. Mendoj se i ka kualifikimet për këtë rol dhe mendoj se mund të fitojë përballë Trump-it”, tha ai.
Së bashku, votuesit e brezit të mijëvjeçarit dhe ata më të rinj, të ashtuquajturit brezi Z, formojnë një bllok të fuqishëm votuesish, thotë DeNora Getachew, drejtuese e një organizate që inkurajon pjesëmarrjen, aktivizmin dhe shërbimin e të rinjve.
“Nëse dalin të votojnë në të njëjtin nivel si në vitin 2020, ata do të jenë 37% e elektoratit. Pra, hapi i parë është që duhet të regjistrohen si votues. Hapi i dytë është të shkojnë tek kutitë e votimit”, thotë zonja Getachew.
Megjithëse votuesit e rinj kanë pikëpamje të shumëllojshme politike, ata bien dakord për nevojën për ndryshim.
“Po e shikojmë Amerikën në rënie. Dhe kjo ndodh pasi ata që zgjidhen nuk janë të moshës tonë. Brezi i ardhshëm janë persona në të 20-tat, 30-tat dhe 40-tat. Përse ata që na përfaqësojnë janë në të 50-tat, 60-tat, 70-tat dhe 80-tat?”, thotë Ashrqat Saleh, votuese në Nju Jork.
Një anketim i bëri nga U.S. News & World Report tregon se për 70% të votuesve nga brezi i mijëvjeçarit, inflacioni dhe kostot e jetesës janë problematikat kryesore për këto zgjedhje. Këto shqetësime për ekonominë renditen për ta shumë më lart se çështje si të drejtat e abortit, dhuna me armë, apo ndryshimi klimatik./ VOA