Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar në një njoftim zyrtar, duke shprehur indinjatën për deklaratat e papranueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me incidentin në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.
“Në vend të kërkimfaljes ministria e brendshme Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale. Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vete ministria e brendshme e Maqedonisë se Veriut pranuan se urdhri bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, tha Presidenca e Kosovës.
Pas deklaratës se presidencës se Kosovës , i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së jashtme të Maqedonisë së Veriut, e cila ka shprehur keqardhje për keqkuptimet që ndodhën gjatë udhëtimit të Osmanit në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize të detajuar të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur situata të tilla në të ardhmen”, tha Ministria e Jashtme e Maqedonisë.
Ndërkohë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ,Ali Ahmeti reagoi në rrjetet sociale në lidhje me incidentin duke e dënuar ashpër.
“E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që t’i falin për arsye se nuk dinë se ç’bëjnë. Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiçin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me radhë”, u shpreh Ali Ahmeti.
Incidenti ndodhi të enjten Shkup kur stafi i sigurisë të aeroportit kërkoi të kontrollonte me skaner telefonin e presidentes së Kosovës Vjosa osmani. Punonjësit e kompanisë që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Shkupit debatuan edhe me truprojat e presidentes Osmani. /vizionplus.tv