Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu ka reaguar pas ngjarjes në Serbi, ku një ditë më parë u raportua se policia qëlloi për vdekje Faton Hajrizin, i dyshuar për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjeri në territorin serb.
Haxhiu ka bërë thirrje për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë. Sipas Haxhiut në këto arratisje ka dorë Serbia.
“E rëndësishme të theksohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që të paktën në disa raste, këto arratisje janë nxitur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut kjo po bëhet me qëllim për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës.
“Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe i kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, u shpreh ajo.
Ministrja e drjetësisë ka thënë gjithashtu se informacionet për ekzekutimine Faton Hajrizit kane qene kontrakdikore. kryeministri Albin Kurti bëri thirrje një ditë më parë për mospolitizimin e ngjarjes. /vizionplus.tv