Organizata eminente think-tank, e Kosovës, Forumi Ballkanik publikoi sot një episod të ri të podcast-it “Ballkani dhe më gjerë” me Xhabir Derallën nga CIVIL-i.
“Në këtë episod, kemi privilegjin të jemi nikoqirë të Xhabir Derallën, gazetar hulumtues i shquar nga Maqedonia e Veriut dhe fitues i Çmimit të Solidaritetit për Gazetarët nga Evropa Juglindore, për vitin 2024 dhe Urdhrit të Meritës nga Presidenti Zelenski”, thuhet në njoftimin e Forumit Ballkanik.
Në intervistën 43 minutëshe, Deralla flet për fillimet e tij gazetareske, themelimin e CIVIL-it, si dhe kërcënimet me të cilat përballet për shkak të punës së tij si profesionist i medias dhe drejtues i një organizate qytetare për të drejtat e njeriut.
“Si themelues i CIVIL-it, Deralla angazhohet për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe lirisë së shtypit. Në këtë episod, ai ndan rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm, sfidat me të cilat përballet dhe vizionin e tij për të ardhmen e gazetarisë dhe të drejtave të njeriut në rajon”, shkruan autorja e podcast-it, Gonxhe Konjufca nga Forumi Ballkanik.
Në intervistë u diskutua gjithashtu për situatën dhe proceset politike në Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, si dhe mënyrën se si funksionon propaganda ruse.