Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të vendit fqinj.
“E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit”, tha Kurti.
Më herët edhe presidentja Osmani e ka kundërshtuar vendimin e bllokut për këtë çështje pasi sipas saj dëmton karakterin multietnik të Kosovës.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar një ditë më parë kete rregullore që u lejon edhe serbëve të Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, të lëvizin të lirë në zonën Schengen. Por Prishtina zyrtare nuk i njeh këto dokumente të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës./vizionplus.tv